Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), bazuar në parashikimet e nenit 37 të ligjit nr. 10192, dt. 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, në zbatim të Vendimit të Komitetit Ndër-institucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar nr. 02, dt. 20.11.2020 “Mbi mënyrën e përdorimit të pasurive Vlera Monetare të Konfiskuara”, në përputhje me Udhëzimin nr. 374, dt. 18.11.2020, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për financimin e projekteve nga fondi i posaçëm për parandalimin e kriminalitetit”, shpall këtë Thirrje për Shprehje Interesi për të gjitha OJF-të e interesuara për projekte.

Kërkesat për financimin e projekteve mund të paraqiten nga Organizatat Jo-fitimprurëse, të parashikuara në pikën 5 të Udhëzimit nr. 374, dt. 18.11.2020, që kanë për objekt të veprimtarisë së tyre rehabilitimin social, kulturor e shëndetësor të shtresave në nevojë, veçanërisht ato të prekura apo të rrezikuara nga krimi, përfshirë organizatat dhe qendrat terapeutike, qendrat e riaftësimit dhe të kurimit të përdoruesve të substancave narkotike, OJF-ve që merren me dhënien e ndihmës viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit, që mbrojnë të drejtat e familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës, si dhe qendrat e asistencës e të rehabilitimit të viktimave të trafikut të qenieve njerëzore që, në tri vitet e fundit nga paraqitja e kërkesës, zhvillojnë veprimtari të tilla.

Fondi në total i vënë në dispozicion është në vlerën 18.680.000 lekë.

Së bashku me kërkesën për financim dhe projekt-propozimin, organizatat jo-fitimprurëse duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:

  1. Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor për regjistrimin e aplikuesit;
  2. Dokument, që vërteton se aplikuesi nuk është në ndjekje penale dhe nuk është i dënuar me vendim të gjykatës të formës së prerë;
  3. Dokument, që vërteton se aplikanti nuk është në proces falimentimi dhe/ose në proces likuidimi;
  4. Kopje të pasqyrave financiare për tri vitet e fundit, të audituara dhe të depozituara në organet tatimore;
  5. Dokument, që vërteton se aplikuesi ka paguar rregullisht sigurimet shoqërore për stafin e punësuar;
  6. Dokument që vërteton se aplikuesi nuk ka detyrime tatimore, lëshuar nga organet tatimore;
  7. Licencë/Leje për ushtrim veprimtarie, vetëm në rastet kur aktiviteti/veprimtaritë e kërkuara për t’u financuar nuk mund të kryhen, pa zotëruar një licencë të akorduar nga autoritetet shtetërore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dokumentacioni i parashikuar në germat “a” deri në “g” duhet të jetë në origjinal, ose kopje e noterizuar, si dhe duhet të jenë të lëshuara brenda 6 muajve nga data e aplikimit.

OJF-të janë të lutura t’i sjellin projekt-propozimet pranë zyrave të AAPSK-së, brenda datës 31 dhjetor 2020, në adresën: Rruga “Perlat Rexhepi”, Nd. 8, Ap. 13, Tiranë.

Projekt-propozimet duhet të dërgohen gjithashtu edhe në formë elektronike, në formatin word, në adresën e-mailit: [email protected], si dhe çdo pyetje që lidhet me procesin mund të dërgohet në këtë adresë.

Reset password

Enter your email address and we will send you a link to change your password.

Powered by Estatik