Në mbështetje të Ligjit nr. 10192, dt. 3.12.2009 i ndryshuar “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, Ligjit nr. 34/2019, i ndryshuar “ Për Administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në RSH”, i ndryshuar, neni 19 pika 1, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij; të ligjit nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative në RSH”; të ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij; të ligjit nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, në përputhje me urdhrin e kryeministrit nr.198, dt. 20.11.2023, si dhe në përputhje me urdhrin e minstrit të brendshëm nr.87,dt.16.05.2024 “ Për përcaktimin e kritereve dhe rregullave të hollësishme për hartimin e listës së administratoreve të pasurisë së sekuestruar”
U R D H Ë R O J
1- Shpalljen 4(katër) vendeve vakante të punës me kontratë, administrator i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
2- QËLLIMI I PËRGJITHSHËM I POZICIONIT TË PUNËS – Miradministrimi dhe përdorimi sa më efiçent, efektiv dhe ekonomik i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë ose pasurive të sekuestruara nga organet administrative dhe që koordinon, udhëzon, mbikëqyr dhe kontrollon zbatimin e procedurave ligjore për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara.
3-KOMPETENCAT DHE PËRGJEGJËSITË E ADMINISTRATORIT TË PASURIVE TË SEKUESTRUARA DHE TË KONFISKUARA:
a) njofton menjëherë për masën e sekuestrimit për pasuritë e sekuestruara të regjistruara, në organet dhe subjektet ku mbahen këta regjistra;
b) njofton gjykatën kur konstaton pasuri të tjera, që mund të jenë objekt i masës së sekuestrimit, për ekzistencën e të cilave është vënë në dijeni gjatë administrimit;
c) merr në administrim pasuritë e sekuestruara që i caktohen për administrim;
ç) nëse është e mundur, rrit vlerën e pasurisë që ka në administrim;
d) harton të gjitha shkresat zyrtare dhe mban korrespondencën me institucionet dhe subjektet, me të cilat duhet të bashkëpunohet për marrjen në administrim, menaxhimin dhe tjetërsimin e pasurive të sekuestruara;
dh) paraqet çdo kërkesë të nevojshme për ekzekutimin e masës së sekuestrimit dhe për administrimin e sendit, pranë prokurorisë, shërbimit përmbarimor apo çdo institucioni tjetër shtetëror;
e) paraqet:
i. raport të hollësishëm, brenda 15 ditëve nga emërimi i tij, për kryeadministratorin dhe autoritetin përkatës që ka vendosur masën e sekuestrimit, për elementet thelbësore të ekzistencës dhe gjendjes së pasurisë së sekuestruar, duke njoftuar njëkohësisht prokurorin e çështjes, kur pasuria është sekuestruar me kërkesë të kësaj të fundit;
ii. raport për marrjen në administrim të pasurisë, për të cilin njofton kryeadministratorin, vë në dijeni autoritetin përkatës që ka vendosur masën e sekuestrimit dhe prokurorin e çështjes;
iii) informacione periodike për administrimin e pasurive të sekuestruara, të shoqëruara me dokumentet përkatëse;
iv. kërkesën për informim pranë prokurorisë dhe gjykatës, 30 ditë përpara përfundimit të masës së sekuestrimit, me qëllim marrjen dijeni nga ana e prokurorit të kërkesës për konfiskim apo shtyrje të afatit të sekuestrimit;
v. raportin tekniko-financiar, brenda 90 ditëve nga marrja e njoftimit për vendimin e formës së prerë, për konfiskimin e pasurisë;
vi. raportin për pasuritë e tjera, që mund të jenë objekt i masës së sekuestrimit, për ekzistencën e të cilave është vënë në dijeni gjatë administrimit, por nuk janë përcaktuar në masën e sekuestrimit, dhe ia paraqet atë autoritetit përkatës që ka vendosur masën e sekuestrimit dhe kryeadministratorit.
4-DETYRAT KRYESORE TË ADMINISTRATORIT TË PASURIVE TË SEKUESTRUARA DHE TË KONFISKUARA.
1.Me marrjen e vendimit të gjykatës, urdhërit administrativ, për sekuestrimin/konfiskimin e pasurisë, harton të gjitha shkresat zyrtare për institucionet me të cilat duhet të bashkëpunohet për marrjen në administrim të pasurisë.
2. Merr në administrim pasurinë e sekuestruar /konfiskuar, nga organet e drejtësisë dhe sipas ligjit nr.34/2019 i ndryshuar, ligjit nr.10192/i ndryshuar.
3. Marrja në administrim bëhet nga administratori i pasurisë në prani të Specialistit (për marrjen dhe Administrimin e Pasurive) ose, në raste te veçanta për shkak ngarkese, të një specialisti të sektorit të Administrimit Ekonomiko-Financiar, të caktuar nga Kryeadministratori.
4. Harton raportin e marrjes së pasurisë në administrim, brenda 5 ditëve nga ekzekutimi i vendimit dhe njofton Kryeadministratorin, (dhe nëpërmjet tij) gjykatën dhe prokurorin e çështjes.
5. Paraqet çdo kërkesë të nevojshme pranë prokurorisë, policisë gjyqësore apo çdo institucioni tjetër publik dhe privat me qëllim administrimin e pasurisë.
6.Brenda 15 ditëve nga emërimi i tij, administratori duhet ti paraqesë gjykatës një raport të hollësishëm për elementet thelbësor të ekzistencës dhe gjendjes në të cilën ndodhet pasuria e sekuestruar, të shoqëruara nëse kërkohet, me dokumentacionin përkatës.
7. Brënda 30 ditëve nga marrja e pasurise në dorëzim, ndjek të gjithë procedurat për dhënien e pasurisë me qira.
8. Bën njoftimet përkatëse për dhënien me qira të pasurive.Rifreskimi i publikimit të bëhet minimalisht një herë në muaj.
9. Gjatë procesit të ekzekutimit të masës së sekuestrimit/konfiskimit kur administratori i pasurisë konstaton problematika mbi pasojat dhe efektet qe do të kishte marrja ne administrim, informon prokurorin dhe gjykatën mbi problematiken duke kërkuar bashkëpunim për vijimin e procedurave te mëtejshme.
10.Kur pasuria jepet me qira:
⦁ ndjek periodikisht mbarëvajtjen e kontratës se qirasë;
⦁ bën kontrolle të herëpashershme në objekt për të parë gjendjen fizike të pasurisë;
⦁ eviton problemet dhe merr masa për eliminimin e tyre, në rastet kur kanë lindur jo për faj të qiramarrësit;
⦁ kontrollon pagesat mujore të qirasë, pagesat e faturave të energjisë, ujit të pijshëm si dhe çdo shpenzimi që mund të lindë nga përdorimi i pasurisë;
⦁ kur konstaton se qiraja nuk paguhet nga qiramarrësi në afat, propozon masat e parashikuara në kontratë, deri në zgjidhjen e saj;
⦁ në kushtet e mospërputhjes së tregut me çmimin e përcaktuar dhe nëse pasuria nuk jepet me qira për një kohë të caktuar për arsye të çmimit të qirasë, i propozon Kryeadministratorit aplikimin e çmimit më të ulët.
⦁ Administratoret e pasurive në lidhjen e kontratave të qirasë të pasurive, kërkojnë deklaratë me shkrim nga qiramarrësit, që nuk kanë lidhje me shtetasit apo subjektet e përfshira në vendimin e gjykatës, të cilëve ju është bërë sekuestrimi apo konfiskimi i pasurisë.
11. Verifikon listën e të punësuarve pranë shoqërive të marra në administrim dhe para lidhjes së kontratës së punësimit në shoqëri tregtare, i kërkon punëmarrësve që janë të punësuar ose do të punësohen në këto shoqëri, deklaratën me shkrim, ku deklarohet që nuk kanë lidhje me subjektet, të cilëve ju është sekuestruar apo konfiskuar pasuria.
12. Pasi të jetë shprehur gjykata mbi shpenzimet procedurale të administrimit, në rastin e revokimit të pasurisë, bën njoftimin e personit që i është revokuar pasuria për datën e kthimit, si dhe përpilon procesverbalin e dorëzimit të pasurisë duke kryer dhe raportin përfundimtar dhe bën mbylljen e dosjes përkatëse;
13. Raporton prokurorit të paktën çdo tre muaj në lidhje me shpenzimet e administrimit.
14. Nëpërmjet Kryeadministratorit, bashkëpunon me institucionet me anë të shkresave zyrtare, për marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara/konfiskuara.
15. Administratori nuk lejohet të marre pjesë në gjykim, të marrë kredi, të nënshkruajë marrëveshje pajtimi, arbitrazhi, premtimi, dorëzanie, hipotekimi ose tjetërsimi të pasurisë së sekuestruar, apo të kryejë veprime të tjera juridike administrimi jo të zakonshme. Përjashtohet nga ky rregull administratori i pasurisë së sekuestruar, në rastet kur autorizohet paraprakisht nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar.
16. Zbaton edhe detyra të tjera të percaktuara në Rregulloren e Brendshme të AAPSK.
4- KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJNË APLIKANTËT PËR KËTË POZICION:
Administrator i pasurisë së sekuestruar mund të caktohet shtetasi shqiptar që përmbush kushtet e mëposhtme:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
c) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën;
ç) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
d) të mos jetë larguar nga detyra ose të mos i jetë hequr licenca, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore;
dh) të ketë të paktën 3 (tre) vite përvojë profesionale me kohë të plotë, pas përfundimit të studimeve, në fushën e administrimit të shoqërive tregtare, kontrabilitetit, jurisprudencës, dhe administrimit të pasurive të paluajtshme, ose, përjashtimisht, në fusha të tjera të posaçme që mund të jenë të nevojshme për shkak të nevojës për të administruar pasuri të caktuara. Për qëllime të kësaj pike, eksperienca në fushën e administrimit të shoqërive tregtare përfshin punën në pozicionin e administratorit të një shoqërie tregtare, drejtor departamenti ose drejtorie i cili, nëpërmjet punës së tij, ka pasur mundësi të ndikojë në procesin vendimarrës të shoqërisë si dhe çdo eksperiencë pune në sektorin publik që ka kontrolluar ose mbikëqyrur veprimtarinë e shoqërive tregtare. Eksperienca e punës në administrimin e pasurive të paluajshme përfshin çdo pozicion pune në drejtoritë ose sektorët e shërbimeve mbështetëse të institucioneve publike që ka pasur përgjegjësi në administrimin e pasurive publike si dhe çdo eksperiencë pune në sektorin privat që ka qenë përgjegjës për administrimin e pasurive të paluajtshme të shoqërisë përkatëse.
e) të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare dhe të ketë kualifikime profesionale, të nevojshme për administrimin e kujdesshëm të pasurive të sekuestruara;
ë) të mos ketë qenë ortak apo anëtar i një organi drejtues ose kontrollues apo administrator i një shoqërie, për të cilën janë hapur procedurat e falimentimit dhe/ose të një banke/dege të një banke të huaj të vendosur në likuidim në pesë vitet e fundit. Afati 5-vjeçar fillon nga data e vendimit të organit kompetent për hapjen e procedurave të falimentimit ose të likuidimit;
f) të mos ketë qenë në pesë vitet e fundit ortak apo anëtar i një organi drejtues ose kontrollues, administrator i një shoqërie, për të cilën janë vendosur procedurat e sekuestrimit ose të konfiskimit, në kuadër të një procedimi penal ose administrativ. Afati 5- vjeçar fillon nga data e njoftimit të aktit nga organi kompetent për vendosjen e procedurave të sekuestrimit ose konfiskimit;
g) të mos ketë pasur në pesë vitet e fundit pozicione drejtuese apo kontrolluese në një shoqëri tregtare ose institucion financiar, të cilit i është hequr e drejta për të ushtruar një veprimtari të caktuar tregtare brenda apo jashtë vendit.
5- DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT TË APLIKIMEVE.
Aplikantët brenda një jave kalendarike nga data e shpalljes, duhet të dorëzojnë dokumentet:
⦁ CV dhe letër motivimi;
⦁ Diplomë e ciklit tw dytw tw studimeve universistare të noterizua, së bashku me listën e notave;
⦁ Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
⦁ Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
⦁ Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
⦁ Vërtetim të gjendjes gjyqësore;
⦁ Dëshmi Penaliteti.
⦁ Fotokopje leje drejtimi automjeti.
Dokumentacioni i aplikantit duhet të dorzohet në protokollin e AAPSK brenda dt. 21.06.2024.
6- Komisioni i “Ad-Hoc” brenda dt. 27.06.2024 bën verifikimin paraprak të dosjeve të aplikantëve nëse plotësojnë kriteret specifike, të përcaktuara në këtë urdhër. Në përfundim të këtij afati, AAPSK shpall në ambientet e tij dhe në faqet zyrtare, listën e kandidatëve që plotësojnë këto kritere për t’iu nënshtruar konkursit, duke i renditur ata sipas rendit alfabetik.
7- Kandidatët që nuk kanë plotësuar kriteret specifike, njoftohen nga Komisioni i “Ad-Hoc” dhe kanë të drejtë të paraqiten pranë kësaj agjencie, për t’u njohur me arsyet e moskualifikimit. Ata mund të ankohen në AAPSK brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e listës, sipas pikës 6 të këtij urdhri. AAPSK duhet të kthejë përgjigje të arsyetuar brenda 2 (dy) ditëve pune.
8-Zhvillimi i intervistës me aplikantët e përzgjedhur nga komisioni “Ad-Hoc” do të kryhet brenda datës 8.07.2024, në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.