Në Ministrinë e Brendshme u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar. Në nisje u firmosën kontratat mes Drejtorit të Agjencisë AAPSK dhe subjekteve përfituese, ndër të cilat Policia e Shtetit dhe SPAK.

Fondi i posaçëm në dispozicion për t’u përdorur nga subjektet përfituese është 93. 4 milion lekë, prej të cilit pjesën kryesore e morën Policia e Shtetit dhe SPAK. Gjithashtu, përfituese të projekteve ishin edhe 7 OJF, ndër të cilat Fondacioni “Gjurmë” i fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në detyrë.

Fondet e përfituara, falë luftës kundër krimit të organizuar, rrjedhin nga asetet dhe të ardhurat te grumbulluara nga AAPSK (Agjencia e Administrimit të Pasurive dhe Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara), drejtuesi i së cilës nënshkroi kontratat përkatëse me subjektet përfituese.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, znj. Elena Pici, që drejtoi mbledhjen, në fjalën e saj tha:

Faleminderit që jeni në këtë mbledhje të veçantë të Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar. Përveç pjesëmarrjes së zakonshme të anëtarëve, sot në këtë mbledhje kemi të pranishëm edhe përfaqësues të OJQ-ve, të cilat kanë përfituar nga fondi i posaçëm, që ka ndarë ky Komitet. Po ashtu edhe përfaqësues të dy institucioneve kryesore ligjzbatuese të cilat kanë përfituar nga ky fond, siç është Policia e Shtetit dhe Prokuroria Posaçme (SPAK).

Siç ka vendosur ky Komitet, në mbledhjen e fundit të datës 27 janar, Komiteti ka kthyer një shumë të konsiderueshme, gati 90 milion lekë në shërbim të atij që është misioni i këtij fondi të veçantë, t’ia kthejë komunitetit dhe t’ia kthejë institucioneve ligjzbatuese. Kështu që rreth 80% e këtij fondi ka shkuar në favor të institucioneve ligjzbatuese, pra Policisë së Shtetit dhe SPAK, dhe 20% e tij, në vlerën gati 18.6 milion lekë, kanë shkuar për OJF-të.

Jemi të kënaqur që këtë vit ka pasur një numër të konsiderueshëm aplikimesh nga OJF-të, të cilat operojnë në këtë fushë dhe gjithashtu të kënaqur që kemi pasur mundësi të mbështesim 7 prej këtyre organizatave, një prej të cilave “Gjurmë”, e cila është një organizatë e krijuar nga fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, një organizatë e cila është mbështetur veçanërisht nga ky fond i veçantë dhe 6 organizata të tjera, të cilat kanë mundur të përfitojnë një fond të ndarë në mënyrë të barabartë mes tyre.

Për këtë qëllim, në rendin e ditës së mbledhjes së sotme do të kemi pikërisht firmosjen e këtyre kontratave nga Drejtori i Agjencisë, me institucionet ligjzbatuese dhe me OJF-të të cilat janë përfituese të fondit.
Në pjesën e dytë të rendit të ditës do të marrim në shqyrtim, vetëm me anëtarët e komisionit, një kërkesë për zhvillimin e bizneseve sociale në prona të konfiskuara nga krimi, kërkesë e disa bashkëpunëtorëve të huaj të Agjensisë.

Ftoj Drejtorin e Agjencisë dhe së pari Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, që të bëjnë nënshkrimin e parë të kontratës së fondit të përfituar për këtë institucion, i cili është në vlerën 41.081.542,9 lekë, e cila do të shkojë për projektin “Për blerjen e pajisjeve të rrjetit kompjuterik dhe trajnimin e administratorëve të sistemit, për zhvillimin e kapaciteteve të sistemit të menaxhimit të informacionit kriminal.

Policia e Shtetit është institucioni kryesor, i cili ka përfituar vazhdimisht nga ky fond dhe meriton të përfitojë shumën më të konsiderueshme që vjen nga ky fond i veçantë, si institucioni kryesor, i cili ka mision parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar.

Gjithashtu, SPAK, fondi prej 30.241.187 lekë ka shkuar për këtë institucion, “Për blerjen e pajisjeve dhe programeve në funksion të sektorit të ekspertizës”, një projekt shumë i rëndësishëm për ta, ashtu edhe siç është prezantuar në këtë Komision dhe që patjetër do t’i shërbejë luftës kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë një tjetër institucion ligjzbatues, i cili ka përfituar nga ky fond është edhe “Qendra Kombëtare Pritëse e Viktimave të Trafikimit”, në shumën 3.4 milionë lekë të reja.

Përfituese nga ky fond sipas vendimit të Komitetit janë:

  • Subjekti “Gjurmë”, në shumën 5 milion lekë në përputhje me projektin “Për rehabilitimin e familjarëve të efektivëve të rënë në detyrë”;
  • Subjekti “Vatra” në shumë 2.280.000 lekë në përputhje më projektin “Asistencë direkte për fuqizimin social dhe ekonomik të viktimave apo viktimave të mundshme e çdo forme të dhunës”;
  • Subjekti “ARSIS” në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë, në përputhje me projektin “Shërbime emergjence dhe rehabilituese, reintegruese për fëmijët, të rinjtë, dhe nënat viktima të trafikut”, pranë Qendrës multifunksionale “Shtëpia e Ngjyrave” në Bashkinë Tiranë;
  • Subjekti “Të Ndryshëm dhe të Barabartë”, në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë, në përputhje me projektin “Asistencë për identifikim proaktiv dhe ofrimin e shërbimeve riintegruese, gjithëpërfshirëse”, të viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit në Shqipëri;
  • Subjekti “Aksion Plus” në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë në përputhje me projektin “Shërbime efektive për individët përdorues të drogave”;
  • Subjekti “CATI” në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë, në përputhje me projektin “Rehabilitimi dhe fuqizimi social i viktimave të trafikimit përmes integrimit dhe punësimit”;
  • Subjekti “SIG” në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë, në përputhje me projektin “Bashkë për komunitete të qëndrueshme dhe komunikim”.

Këto janë subjektet, 7 OJQ, të cilat kanë përfituar nga ky fond, të cilin jemi përpjekur ta ndajmë në një mënyrë sa më të barabartë, sa më diverse dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë grupet e interesit. Këtu dua të falënderoj veçanërisht të gjithë anëtarët e Komitetit dhe kryesisht ata që kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e fundit të Komisionit dhe që kanë marrë pjesë në këtë vendimmarrje.

Kështu, faleminderit z. Edvin Morava, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, z. Altin Dumani përfaqësues i SPAK, znj. Alma Muça përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme, z. Albert Nikolla Zv.ministër i Shëndetësisë, z. Redi Curri përfaqësues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Drejtorit të Agjencisë z. Artur Kala. Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve!

Reset password

Enter your email address and we will send you a link to change your password.

Powered by Estatik