Thirrje për Financim Projektesh për organizatat jofitimprurësë (OJF)

Thirrje për Financim Projektesh për organizatat jofitimprurësë (OJF)

6 Shkurt, 2026

Front Slider Publikime

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), bazuar në nenin 37 të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, në zbatim të Vendimit nr. 247, datë 27.01.2026, të Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të […]

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), bazuar në nenin 37 të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, në zbatim të Vendimit nr. 247, datë 27.01.2026, të Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar “Për kalimin e një shume nga Fondi i Posaçëm për Parandalimin e Kriminalitetit, për mbështetjen financiare të organizatave jofitimprurëse”, si dhe në përputhje me Udhëzimin nr. 374, datë 18.11.2020, “Për përcaktimin e rregullave dhe proçedurave për financimin e projekteve nga Fondi i Posaçëm për Parandalimin e Kriminalitetit”, shpall këtë Thirrje për Financim Projektesh, për organizatat jofitimprurëse (OJF).

Qëllimi i mbështetjes

Mbështetja financiare synon parandalimin e kriminalitetit, si dhe rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë, veçanërisht të personave dhe grupeve të prekura ose të rrezikuara nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera të kriminalitetit.

Fushat prioritare të ndërhyrjes

Projekt-propozimet duhet të adresojnë një ose më shumë nga fushat e mëposhtme:

  • Rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë;
  • Parandalimi i kriminalitetit dhe riintegrimi i personave të prekur nga krimi;
  • Asistenca dhe rehabilitimi i viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;
  • Rehabilitimi dhe trajtimi i përdoruesve të substancave narkotike;
  • Mbrojtja e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës;
  • Asistenca dhe rehabilitimi i viktimave të trafikut të qenieve njerëzore;
  • Të tjera (sipas udhezimit 374/18.11.2020)

Kush mund të aplikojë?

Aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse, sipas përcaktimeve të pikës 5 të Udhëzimit nr. 374, datë 18.11.2020, “Për përcaktimin e rregullave dhe proçedurave për financimin e projekteve nga Fondi i Posaçëm për Parandalimin e Kriminalitetit”, të cilat:

  • Janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë;
  • Kanë në objektin e veprimtarisë së tyre një ose më shumë nga fushat e sipërpërmendura.

Fondi dhe mbështetja financiare

Fondi total në dispozicion është: 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) Euro.

Vlera e financimit për çdo projekt do të përcaktohet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në Udhëzimin nr. 374/2020 “Për përcaktimin e rregullave dhe proçedurave për financimin e projekteve nga Fondi i Posaçëm për Parandalimin e Kriminalitetit”.

Dokumentacioni i aplikimit

Së bashku me kërkesën për financim dhe projektpropozimin, me kostot financiare përkatëse, OJF-të duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Vendimi i Gjykatës për regjistrimin e OJF-së;
  • Vërtetim I gjëndjes gjyqësore që nuk ështe ne procedim penal.(nga prokuroria dhe gjykata e rrethit /juridiksionit përkatës);
  • Vërtetim I gjëndjes gjyqesore që nuk ështe i dënuar me vendim gjykate;
  •  Vërtetim që nuk është në falimentim/likuidim;
  •  Vërtetim për sigurimet shoqërore;
  •  Vërtetim për mospasjen e detyrimeve tatimore;
  • Licencë/Leje (kur kërkohet nga ligji).

Dokumentacioni i kërkuar duhet të jetë në origjinal ose kopje të noterizuara dhe të jetë lëshuar brenda 3 muajve nga data e aplikimit.

Afatet kryesore

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 09.03.2026.

Dorëzimi i aplikimeve

Projektet duhet të dorëzohen fizikisht dhe elektronikisht.

Dorëzimi fizik:
Rruga e Kavajës, Kompleksi “Delijorgji”, Kulla C1, Kati 1, H2, Tiranë.

Dorëzimi elektronik:
Në format Word, në adresën e postës elektronike: info@aapsk.gov.al

Më poshtë do të gjeni dokumentacionin e aplikimit:

 



Shpërndani: