Hapet ekspozita me punime artizanale në ambjentet e një prone të konfiskuar në Tiranë

Hapet ekspozita me punime artizanale në ambjentet e një prone të konfiskuar në Tiranë

6 Gusht, 2026

Front Slider Lajme

Një histori suksesi e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara është prezantuar sot në Tiranë, me çeljen e ekspozitës “Thurja e Qilimave”, e cila sjell për publikun punimet artizanale të grave të sipërmarrjes sociale “Tradita ime Artizanale”. Ekspozita është hapur në ambientet e Publik Galeri, një qendër e dedikuar artit, kulturës dhe aktiviteteve komunitare, e […]

Një histori suksesi e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara është prezantuar sot në Tiranë, me çeljen e ekspozitës “Thurja e Qilimave”, e cila sjell për publikun punimet artizanale të grave të sipërmarrjes sociale “Tradita ime Artizanale”.

Ekspozita është hapur në ambientet e Publik Galeri, një qendër e dedikuar artit, kulturës dhe aktiviteteve komunitare, e ngritur në një pasuri të konfiskuar dhe e administruar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Kjo ekspozitë krijon një lidhje domethënëse mes dy pasurive të konfiskuara që sot i shërbejnë interesit publik: njëra në qytetin e Elbasanit, ku prej vitesh zhvillon aktivitetin sipërmarrja sociale “Tradita ime Artizanale”, dhe tjetra në zemër të Tiranës, ku punimet e realizuara nga artizanet po prezantohen për qytetarët dhe vizitorët.

Duke përshëndetur hapjen e ekspozitës, Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, theksoi se ky është një shembull konkret i filozofisë së re të administrimit të pasurive të konfiskuara.

“Pasuritë e konfiskuara nuk duhet të mbeten asete të ngrira, por të rikthehen në funksion të komunitetit. Prej vitesh një pronë e konfiskuar në Elbasan shërben si qendër prodhimi dhe punësimi për gratë, ndërsa një tjetër pronë e konfiskuar në Tiranë, prej pak muajsh, shërben si hapësirë për promovimin e artit dhe kulturës. Ky është modeli që synojmë të zgjerojmë: transformimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale në mundësi zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor për qytetarët”, u shpreh Xhaja.

Ajo nënvizoi se AAPSK do të vijojë të mbështesë iniciativa të tilla, të cilat krijojnë vlerë të shtuar për komunitetin dhe dëshmojnë se ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara mund të prodhojë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve.

Nga ana e tij, drejtuesi i Fondacionit Joscelyn, Saimir Bakalli, u shpreh se ekspozita synon të sjellë në vëmendje jo vetëm mjeshtërinë tradicionale të thurjes së qilimave dhe sixhadeve, por edhe historitë njerëzore që qëndrojnë pas çdo punimi.

“Çdo qilim dhe çdo sixhade është rezultat i orëve të gjata të punës, përkushtimit dhe talentit të grave që janë pjesë e sipërmarrjes sociale ‘Tradita ime Artizanale’. Përmes kësaj ekspozite duam t’i bëjmë këto punime më të njohura për publikun, duke krijuar mundësi reale për promovimin dhe tregtimin e tyre. Qëllimi ynë është që arti dhe tradita të kthehen në të ardhura të qëndrueshme për gratë artizane dhe familjet e tyre”, tha Bakalli.

Ekspozita prezanton një koleksion të pasur qilimash, sixhadesh dhe punimesh të tjera tradicionale të realizuara me teknika artizanale, duke ruajtur motive dhe elemente të trashëgimisë kulturore shqiptare të përcjella ndër breza.

“Thurja e Qilimave” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 4 shtator 2026, në ambientet e Publik Galeri, në rrugën “Hasan Alla” në Tiranë, nga e hëna në të premte, në orarin 09:00–17:00.

Ekspozita përfaqëson një model të suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, duke dëshmuar se pasuritë e konfiskuara mund të shndërrohen në hapësira që promovojnë kulturën, krijojnë mundësi ekonomike dhe mbështesin zhvillimin e sipërmarrjeve sociale.



Shpërndani: