AAPSK kërkon më shumë bashkëpunim me bashkitë: Pasuritë e konfiskuara në funksion të komunitetit
21 Maj, 2026
Në kuadër të Forumit “Forcimi i sistemit lokal të mbrojtjes sociale, financimi dhe strukturat”, të zhvilluar në Tiranë, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) prezantoi rolin dhe mundësitë konkrete për përdorimin social të pasurive të konfiskuara, si një instrument në mbështetje të komuniteteve dhe shtresave në nevojë. Gjatë forumit, Kryeadministratorja e […]
Në kuadër të Forumit “Forcimi i sistemit lokal të mbrojtjes sociale, financimi dhe strukturat”, të zhvilluar në Tiranë, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) prezantoi rolin dhe mundësitë konkrete për përdorimin social të pasurive të konfiskuara, si një instrument në mbështetje të komuniteteve dhe shtresave në nevojë.
Gjatë forumit, Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar, por sipas saj sfida reale mbetet rikthimi i pasurive me origjinë kriminale në dobi të qytetarëve dhe komunitetit.
Në fjalën e saj, znj. Xhaja u shpreh se misioni i AAPSK-së është administrimi transparent, eficient dhe me impakt publik i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, duke i kthyer ato në instrumente konkrete zhvillimi social dhe solidariteti.
“Ne besojmë se asetet që dikur kanë qenë produkt i aktiviteteve kriminale duhet të rikthehen në shërbim të komunitetit, duke kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e kohezionit social”, u shpreh Kryeadministratorja e AAPSK-së.
Ajo vuri theksin edhe te rëndësia e bashkëpunimit me pushtetin vendor, duke nënvizuar se bashkitë janë institucionet më pranë qytetarëve dhe njohin më mirë nevojat konkrete të komuniteteve të tyre. Sipas saj, krijimi i urave të bashkëpunimit ndërmjet AAPSK-së dhe njësive të qeverisjes vendore krijon mundësi reale për përdorimin e pasurive të konfiskuara për shërbime sociale, qendra komunitare, mbështetje për shtresat vulnerabël dhe iniciativa të tjera me interes publik.
Në përputhje me praktikat më të mira europiane, përdorimi social i aseteve të konfiskuara konsiderohet sot jo vetëm një instrument i drejtësisë sociale, por edhe një mesazh i fortë publik se përfitimet e paligjshme mund të transformohen në mundësi për qytetarët dhe komunitetet.
AAPSK riafirmoi angazhimin për forcimin e transparencës, bashkëpunimit institucional dhe eficiencës në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë mund të ndërtohen modele të qëndrueshme me ndikim real social.
Forumi u organizua në partneritet me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë për Decentralizimin e Pushtetit Vendor, me mbështetjen teknike të UNICEF, në kuadër të programit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush të mos mbetet pas”.