Të rinjtë vizitojnë Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë

Të rinjtë vizitojnë Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë

1 Dhjetor, 2025

Front Slider Lajme

Në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë u zhvillua sot aktiviteti edukues “Brezat e rinj për menaxhimin e mbetjeve”, një nismë e përbashkët e Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), dhe stafit akademik të Universitetit Polis, në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Sharrë”. Aktiviteti synoi rritjen e ndërgjegjësimit të […]

Në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë u zhvillua sot aktiviteti edukues “Brezat e rinj për menaxhimin e mbetjeve”, një nismë e përbashkët e Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), dhe stafit akademik të Universitetit Polis, në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Sharrë”.

Aktiviteti synoi rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve dhe të rinjve mbi rëndësinë e ndarjes së mbetjeve në burim, riciklimit, reduktimit të ndotjes dhe forcimit të përgjegjshmërisë mjedisore në komunitet.

Ministri i Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, theksoi rëndësinë e forcimit të menaxhimit të integruar të mbetjeve si pjesë e reformave mjedisore dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ai u ndal te nismat e reja në nivel qendror dhe vendor, si dhe te instrumentet që synojnë nxitjen e inovacionit dhe teknologjive të gjelbra në shërbimet e menaxhimit të mbetjeve.

Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja, prezantoi proceset e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, duke theksuar rëndësinë e mirëadministrimit të tyre në funksion të interesit publik dhe forcimit të besimit tek shteti i së drejtës.

Në fjalën e saj, znj. Xhaja nënvizoi qartësisht rolin e AAPSK në shndërrimin e këtyre pasurive në vlerë të prekshme për shoqërinë.

“Pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara janë një mundësi e çmuar për t’i kthyer komunitetit atë që i është marrë përmes veprimtarisë së paligjshme. Qëllimi ynë është t’i administrojmë me transparencë dhe përgjegjësi, në mënyrë që çdo aset të kthehet në dobi, vlerë dhe shërbim publik. Ky është një angazhim që i shërben komunitetit dhe forcon shtetin e së drejtës,” u shpreh znj.Xhaja.

Të rinjtë u njohën me proceset e zhvilluara në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve, infrastrukturën aktuale, praktikat e ndarjes së mbetjeve të riciklueshme dhe masat e reduktimit të ndikimit mjedisor.

Stafet akademike të Universitetit Polis dhe mësues të shkollës “Sharrë” vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke e konsideruar edukimin mjedisor një investim thelbësor afatgjatë.

Gjatë aktivitetit u zhvilluan diskutime të hapura me nxënës dhe studentë, të cilët shprehën interes për praktikat konkrete të riciklimit dhe ekonomisë qarkulluese.

Nxënësve të shkollës “Sharrë” iu shpërndanë trasta shumëpërdorimëshe të prodhuara nga materiale të riciklueshme, si dhe koshat për ndarjen e mbetjeve në burim, të cilët do të instalohen në ambientet e shkollës si model edukues.

Aktiviteti u mbyll me një vizitë në terren të pjesëmarrësve në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve, ku ekspertët e Departamentit të Mjedisit prezantuan proceset teknike, llojet e mbetjeve që trajtohen dhe ndikimet e projekteve të reja për një menaxhim më të qëndrueshëm.



Shpërndani: