Kryeadministratorja e AAPSK takon përfaqësues të UNICEF-it në Shqipëri
25 Mars, 2025
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Znj. Risena Xhaja, së bashku me përfaqësues të agjencisë, pritën në një takim Znj. Linda Bushati, Specialiste për Arsimin dhe të Rinjtë, dhe Znj. Anisa Metalla, Specialiste për Mbrojtjen e Fëmijëve nga UNICEF Shqipëri. Në qendër të diskutimeve ishte mundësia e bashkëpunimit ndërinstitucional […]
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Znj. Risena Xhaja, së bashku me përfaqësues të agjencisë, pritën në një takim Znj. Linda Bushati, Specialiste për Arsimin dhe të Rinjtë, dhe Znj. Anisa Metalla, Specialiste për Mbrojtjen e Fëmijëve nga UNICEF Shqipëri.
Në qendër të diskutimeve ishte mundësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për projekte me fokus në arsimin dhe mbrojtjen e shtresave vulnerabël, duke vënë theksin në rëndësinë e rritjes së financimeve dhe mbështetjes për fëmijët, si edhe përfshirjen e sa më shumë aktorëve në zbatimin e programeve dhe nismave të sukseshme, kjo edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjithashtu, u diskutua mbi angazhimin e AAPSK për vendosjen në funksion të komunitetit të pronave të konfiskuara, duke i kthyer ato në hapësira me funksion social, edukativ dhe mbështetës për grupet në nevojë. Këto iniciativa synojnë të krijojnë mundësi të reja për integrimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve, duke garantuar akses më të gjerë në shërbime cilësore dhe një mjedis të sigurt për ta.
AAPSK do të vijojë bashkëpunimin me organizatat vendase dhe ato ndërkombëtare, me synim implementimin e projekteve dhe nismave të ndryshme me karakter social, nisur edhe nga eksperiencat dhe praktikat më të mira evropiane në këtë fushë