Kryeadministratorja e AAPSK, takim me homologët britanikë, bashkëpunim në kuadër të administrimit të kriptomonedhave dhe pasurive dixhitale
31 Mars, 2025
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), znj. Risena Xhaja, është pjesë e delegacionit shqiptar të drejtuar nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili po merr pjesë në Samitin për Sigurinë Kufitare në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë kësaj vizite, znj. Xhaja zhvilloi një takim të rëndësishëm me homologët britanikë, […]
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), znj. Risena Xhaja, është pjesë e delegacionit shqiptar të drejtuar nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili po merr pjesë në Samitin për Sigurinë Kufitare në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë kësaj vizite, znj. Xhaja zhvilloi një takim të rëndësishëm me homologët britanikë, ku morën pjesë shefja e zyrës së “Asset Recovery”, dy prokurorë dhe përfaqësues të kësaj zyre.
Diskutimet u fokusuan në shkëmbimin e përvojave dhe ideve inovative në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, me një vëmendje të veçantë ndaj përdorimit dhe menaxhimit të kriptomonedhave. Në këtë kontekst, palët shprehën gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin në këtë fushë dhe për të ndarë praktikat më të mira për përmirësimin e mekanizmave ekzistues.
Në javën e ardhshme, një nga ekspertët britanikë do të vizitojë Shqipërinë, i cili, përveç pjesëmarrjes në një projekt të përbashkët me Ministrinë e Brendshme, do të finalizojë një takim të rëndësishëm për vendosjen e marrëdhënieve të reja të bashkëpunimit me AAPSK. Një nga objektivat kryesorë të këtij bashkëpunimi është trajnimi i stafit të Agjencisë mbi çështjet që lidhen me kriptomonedhat dhe administrimin e pasurive dixhitale.
Ndërkohë, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të transparencës dhe efektivitetit të administrimit të këtyre pasurive. Javën e kaluar, për herë të parë, u publikua katalogu i pasurive të sekuestruara, një nismë që synon të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në këtë proces. Ky publikim vjen pas katalogut të pasurive të konfiskuara, i cili u prezantua në shkurt të këtij viti, dhe është pjesë e një procesi të gjerë inventarizimi të ndërmarrë nga Agjencia.
Këto zhvillime tregojnë angazhimin e AAPSK për forcimin e kapaciteteve të saj institucionale dhe për të siguruar një administrim më efikas dhe transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.