AAPSK zhvillon trajnim mbi administrimin e shoqërive tregtare dhe procedurat e QKB-së
20 Nëntor, 2025
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të stafit të saj, organizoi sot një trajnim të specializuar me temë “Shoqëritë tregtare dhe QKB”. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e GIZ në Tiranë, në bashkëpunim me GIZ dhe PKF Albania. […]
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të stafit të saj, organizoi sot një trajnim të specializuar me temë “Shoqëritë tregtare dhe QKB”. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e GIZ në Tiranë, në bashkëpunim me GIZ dhe PKF Albania.
Ligjërimi u mbajt nga z. Julian Saraçi, Auditues Ligjor dhe Konsulent i Pavarur, i cili përmes një sesioni të strukturuar mbi bazën e Ligjit nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për sipërmarrjen dhe shoqëritë”, trajtoi çështje kyçe që lidhen me themelimin, regjistrimin, qeverisjen dhe administrimin e shoqërive tregtare — me fokus të veçantë mbi rastet e shoqërive të vendosura nën sekuestro apo konfiskim.
Trajnimi synoi rritjen e njohurive dhe aftësive praktike të stafit të AAPSK, duke u bazuar në ligjërime interaktive, analizë rastesh dhe diskutime mbi situata konkrete të hasura gjatë administrimit të subjekteve tregtare.
Gjatë sesionit, pjesëmarrësit u njohën me:
* kuadrin ligjor dhe konceptet bazë të Ligjit 9901, përfshirë strukturën dhe format e shoqërive tregtare;
* procedurat e themelimit dhe regjistrimit të shoqërive në QKB, dokumentacionin përkatës dhe hartimin e statutit;
* qeverisjen korporative dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese, me theks te roli i administratorëve dhe mënyrat e përfaqësimit ligjor;
* të drejtat dhe detyrimet e aksionarëve, mekanizmat e vendimmarrjes dhe menaxhimin e konflikteve të interesit;
* interpretimin e rregullave ligjore në administrimin e shoqërive të sekuestruara apo të konfiskuara, një proces me rëndësi të veçantë për misionin e AAPSK.
Programi përfshiu katër sesione tematike, të shoqëruara me diskutime mbi praktikat e mira dhe sfidat në zbatim, ndërsa aktiviteti u mbyll me një sesion përmbledhës dhe shkëmbim komentesh nga pjesëmarrësit.
Pjesë në trajnim morën përfaqësues nga institucionet: AAPSK, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroria e Përgjithshme, GjKKO, Drejtoria e Tatimeve, ASP dhe Zyra e Rikuperimit të Aseteve.
Nëpërmjet këtij trajnimi, AAPSK vijon përpjekjet për forcimin e profesionalizmit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e procesit të administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, në funksion të një menaxhimi më efikas të tyre.