AAPSK mbështeti me mbi 160 milionë lekë institucionet ligjzbatuese në 2025, fonde të tjera për SPAK, policinë e gjykatat edhe në 2026

AAPSK mbështeti me mbi 160 milionë lekë institucionet ligjzbatuese në 2025, fonde të tjera për SPAK, policinë e gjykatat edhe në 2026

25 Shkurt, 2026

Front Slider Lajme

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka vijuar gjatë vitit 2025 të luajë një rol aktiv në mbështetjen financiare të institucioneve ligjzbatuese, duke kanalizuar fondet e krijuara nga administrimi dhe konfiskimi i pasurive drejt forcimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë publike. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025, me vendim […]

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka vijuar gjatë vitit 2025 të luajë një rol aktiv në mbështetjen financiare të institucioneve ligjzbatuese, duke kanalizuar fondet e krijuara nga administrimi dhe konfiskimi i pasurive drejt forcimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë publike.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025, me vendim të Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, u financuan projekte të rëndësishme për disa institucione kyçe, me vlerë të përgjithshme mbi 160 milionë lekë.

Institucionet e drejtësisë, përfshirë GJKKO dhe Prokurorinë e Përgjithshme, përfituan mbi 115 milionë lekë, duke reflektuar një prioritet të qartë për forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u financua me 28,800,000 lekë për mbështetje logjistike dhe furnizim materialo-teknik, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përfitoi 16,305,380 lekë për përmirësimin e kushteve të administrimit penitenciar.

Një rast i veçantë gjatë vitit 2025 ishte kalimi në buxhetin e shtetit i shumës 10 milionë euro. Ky transferim përbën një tregues konkret të efektivitetit të mekanizmave të konfiskimit dhe të rolit të AAPSK në rikuperimin e aseteve të paligjshme në funksion të interesit publik.

Paralelisht, investimet për vetë AAPSK u mbështetën me 20 milionë lekë, duke synuar rritjen e kapaciteteve të brendshme administrative dhe operacionale të Agjencisë.

Përveç financimeve të realizuara në 2025, Komiteti Ndërinstitucional ka miratuar edhe një seri projektesh të tjera që aktualisht janë në proces financimi.

Sipas tabelës së projekteve të miratuara, përfitues kryesorë mbeten institucionet e drejtësisë dhe sigurisë:

– Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka të miratuar një financim prej 119,000,000 lekësh.

– Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit Tiranë përfiton 5,000,000 lekë, bazuar në vendimin nr. 5751, datë 19.11.2025.

– Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka disa projekte në proces, përfshirë 3,514,328 lekë si dhe 41,280,000 lekë, si edhe një financim prej 100,000 euro.

– SPAK përfiton disa financime të ndara: 3,300,000 euro, 1,800,000 euro, si dhe 121,287,421 lekë.

 

Në total, vetëm nga projektet në proces rezultojnë disa milionë euro dhe mbi 280 milionë lekë të miratuara, duke konsoliduar trendin e mbështetjes së drejtpërdrejtë për strukturat që luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Struktura e financimeve tregon një orientim të qartë strategjik: fondet e krijuara nga administrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme rikthehen për të forcuar pikërisht institucionet që godasin aktivitetet e paligjshme.

Në këtë kontekst, AAPSK po pozicionohet si një aktor kyç në ciklin e plotë të luftës kundër krimit të organizuar – nga sekuestrimi dhe administrimi i aseteve, deri te riinvestimi i tyre në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë.

 



Shpërndani: