AAPSK mbështet qendrat sociale në Kamëz, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër me materiale të konfiskuara
27 Tetor, 2025
Në kuadër të bashkëpunimit me Shërbimin Social Shtetëror dhe në funksion të përdorimit social të pasurive të konfiskuara, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka vijuar shpërndarjen e ndihmave materiale për institucionet e kujdesit social në vend. Katër qendra – “Qendra e Dhunës Kamëz”, “Tjetër Vizion” në Elbasan, “Qendra Vatra” […]
Në kuadër të bashkëpunimit me Shërbimin Social Shtetëror dhe në funksion të përdorimit social të pasurive të konfiskuara, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka vijuar shpërndarjen e ndihmave materiale për institucionet e kujdesit social në vend.
Katër qendra – “Qendra e Dhunës Kamëz”, “Tjetër Vizion” në Elbasan, “Qendra Vatra” në Vlorë dhe “Shtëpia e Fëmijës Shkodër” – janë mbështetur me veshje, pajisje elektronike, produkte kozmetike dhe materiale të tjera të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të kujdesit ndaj grave, fëmijëve dhe të rinjve në nevojë.
Kjo nismë është pjesë e politikës së përdorimit social të pasurive të konfiskuara, në përputhje me praktikat europiane që synojnë kthimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme në shërbim të komunitetit, dhe realizohet në zbatim të vendimit të Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar.
Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja, u shpreh se përdorimi social e kthen pasurinë e konfiskuar në vlerë për shoqërinë:
“Ky është një prej momenteve ku drejtësia dhe solidariteti takohen në praktikë. Pasuritë e konfiskuara, më parë simbol i paligjshmërisë, po kthehen sot në mjet mbështetjeje për njerëzit në nevojë. Ky është thelbi i përdorimit social – kthimi i pasurisë së paligjshme në shërbim publik dhe në vlerë për komunitetin,” – u shpreh znj. Xhaja.
Ndërsa Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, znj. Reme Xholi, theksoi se modeli i bashkëpunimit me AAPSK po përkthehet çdo ditë e më shumë në ndihmë konkrete për qytetarët:
“Ky bashkëpunim me AAPSK-në është një shembull i qartë se si institucionet mund të bashkojnë burimet dhe misionin për t’u ardhur realisht në ndihmë kategorive vulnerabël. Materialet e dhuruara do të ndihmojnë drejtpërdrejt qendrat tona sociale në ofrimin e shërbimeve më dinjitoze për gratë, fëmijët dhe të rinjtë në nevojë,” – deklaroi znj. Xholi.
Në vijim, AAPSK ka paralajmëruar se do të zgjerojë bashkëpunimin me rrjetin e qendrave sociale nëpërmjet projekteve të përbashkëta me partnerët institucionalë dhe ndërkombëtarë, me synimin që çdo pasuri e konfiskuar të kthehet në një aset për shoqërinë.