AAPSK dyfishon të ardhurat nga qiradhënia e pasurive për 3-mujorin e parë 2025
11 Prill, 2025
Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) dyfishon të ardhurat nga qiradhënia e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara për 3-mujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia, për 3 muajt e parë të vitit, të ardhurat kanë arritur […]
Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) dyfishon të ardhurat nga qiradhënia e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara për 3-mujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia, për 3 muajt e parë të vitit, të ardhurat kanë arritur në rreth 50 milionë lekë, krahasuar me 24.4 milionë lekë që ishin për vitin e kaluar.
Në këtë mënyrë, AAPSK vijon të ruajë ritmin e rritjes së të ardhurave nga mirëadministrimi, pasi e mbylli vitin 2024 me 159 milionë lekë të ardhura, ose 96.2% më shumë sesa në vitin 2023.
Rritja e të ardhurave është realizuar përmes rritjes së eficiencës dhe mirëmenaxhimit, si edhe rritjes së numrit të pronave të sekuestruara ose konfiskuara që janë dhënë me qira nga Agjencia.
Të ardhurat e mbledhura, përveç përdorimit për detyrat funksionale të Agjencisë, shkojnë edhe për kompensimin e viktimave të krimit, në përfitim të komunitetit, si edhe si mbështetje financiare dhe infrastrukturore për agjencitë ligjzbatuese.
Dhënia me qira e pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara bën të mundur që këto pasuri të shfrytëzohen dhe të sjellin përfitime për komunitetin dhe për buxhetin e shtetit.
AAPSK menaxhon pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara për të nxjerrë të ardhura përmes dhënies me qira ose formave të tjera të shfrytëzimit nga palë të treta, por pa i tjetërsuar ato.