Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara,Xhaja: Forcim të mekanizmave monitorues dhe rritje të transparences
12 Shkurt, 2025
Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara, Xhaja: Forcim të mekanizmave monitorues dhe rritje të transparencës Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, zj. Risena Xhaja ishte e pranishme në panelin e parë të diskutimeve të Konferencës Ndërkombëtare “Nga fitimet e paligjshme te e mira publike: e ardhmja e aseteve të konfiskuara”. […]
Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara, Xhaja: Forcim të mekanizmave monitorues dhe rritje të transparencës
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, zj. Risena Xhaja ishte e pranishme në panelin e parë të diskutimeve të Konferencës Ndërkombëtare “Nga fitimet e paligjshme te e mira publike: e ardhmja e aseteve të konfiskuara”. Konferenca e organizuar nga “Partners Albania” mblodhi bashkë përfaqësues të agjencive shtetërore përgjegjëse për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, ekspertë të huaj dhe vendas, si edhe aktorë të shoqërisë civile.
Aktiviteti u përshëndet nga Ministri i Brendshëm, z. Ervin Hoxha, i cili vlerësoi punën që po bën Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), edhe sa i përket ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara.
Duke përmendur disa nga rezultatet e arritura nga AAPSK, Ministri Hoxha pohoi se “janë një numër i konsiderueshëm ndërtesash apo ambientesh që janë konfiskuar dhe janë vënë në shërbim të publikut. Madje dhe vetë Agjencia punon sot në zyra të konfiskuara. Qëllimi ynë është që asetet e konfiskuara, të ruajnë vlerën e mundësisht të rriten në vlera që të inventarizohen si të mira materiale në shërbim të qytetarëve”.
Kryeadministratorja e AAPSK, zj. Xhaja, gjatë diskutimeve në konferencë u shpreh se pavarësisht sfidave ligjore dhe operacionale gjatë kryerjes së detyrave të saj, Ajencia ka arritur të shtojë të ardhurat nga mirëadministrimi i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
Zj. Xhaja theksoi se nevojiten përmirësime të mëtejshme ligjore, të cilat duhet të synojnë një kuadër rregullator më të plotë dhe të detajuar për administrimin dhe ripërdorimin e pasurive të konfiskuara.
Sa i përket sfidave operacionale, Kryeadministratorja e AAPSK përmendi burimet e kufizuara njerëzore dhe financiare. “Administrimi i pasurive të konfiskuara është shpesh një proces i ndërlikuar, që kërkon ekspertizë dhe pajisje të specializuara. Agjencia duhet të qëndrojë e përditësuar me praktikat më të mira dhe zhvillimet teknologjike për të siguruar një menaxhim efikas,” u shpreh zj. Xhaja.
Kryeadministratorja vlerësoi mbështetjen e Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, si organi mbikëqyrës për veprimtarinë e AAPSK dhe që merr vendime të rëndësishme sa i përket përdorimit efektiv të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
Për të rritur efektshmërinë e ripërdorimit të pasurive të konfiskuara për përfitime sociale, AAPSK ka identifikuar disa prioritete dhe mekanizma qe duhet të forcohen, duke nisur nga përmirësimi i kapaciteteve të Agjencisë, burimet njerëzore, infrastruktura dhe teknologjia, forcimi i mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies, nxitja e mëtejshme e bashkëpunimeve dhe partneriteteve me institicionet e tjera shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile.
Zj. Xhaja theksoi gjithashtu nevojën e krijimin e mekanizmave efektivë të monitorimit dhe vlerësimit, si edhe rritjen e informimit dhe përfshirjes më të gjerë të publikut në lidhje me rëndësinë e ripërdorimit të pasurive të konfiskuara për qëllime sociale.